+355 67 67 677 pgj@plat.org

Tiranë, 17 tetor 2014 – Koalicioni për Shëndetin e Gruas, një grup organizatash të shoqërisë civile për cështjet gjinore dhe shëndetin, mbajtën sot një tryezë diskutimi mbi parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit në Shqipëri. Duke theksuar rëndësinë e shtimit dhe konsolidimit të përpjekjeve për forcimin e luftës ndaj kësaj sëmundjeje kryesisht të shërueshme kur diagonistifikohet e trajtohet në kohe, grupi paraqiti gjetjet e një vlerësimi të situatës dhe disa rekomandime për diskutim me të gjitha palët. Tryeza është pjesë e një fushate avokimi që synon të rrisë debatin publik dhe cilësinë dhe eficencën e politikave mbi këtë cështje, për të cilën ata theksuan se kërkohet bashkëpunimi i të gjithë aktorëve: përfaqësuesve të zgjedhur, institucioneve të sistemit shëndetësor në Shqipëri në të gjitha nivelet, punonjësve të shëndetësisë, kërkuesve, medias, organizatave të shoqërisë civile si dhe biznesit.

 

IMG_2362Në tryezë vlerësuan situatën, sfidat dhe mundësitë në këtë drejtim kryetarja dhe nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Punës, Cështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Albana Vokshi dhe Klodiana Spahiu, Zv. Ministrja e Shëndëtësisë Milva Ekonomi, drejtori i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor Astrit Beci, përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli dhe Kozeta Filipi, si dhe mjekë e ekspertë të fushës.

 

Studiuesja Rudina Rama paraqiti një vlerësim të grupit mbi situatën në Shqipëri, përsa i takon legjislacionit e politikave në këtë drejtim, me fokus te dokumentet strategjike mbi kontrollin e kancerit dhe për shëndetin riprodhues, si dhe të nivelit të zbatimit. Në kuadër të një vlerësimi të përgjithshëm të këtyre kuadrove, kontekstit institucional e atij financiar, situatës në terren dhe shembujve të mirë në rajon, Edlira Cepani, anëtare e Koalicionit për Shëndetin e Gruas dhe Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave Barazi në Vendimmarrje, ndahu me publikun rekomandimet e Koalicionit , në terma afatshkurtër dhe afatgjatë.

 

Në terma afashkurtër ajo thekson nevojën për një grup ndër-institucional aktiv e transparent, për rivlerësimin e strategjive dhe ndjekjen e zbatimit të tyre. Theksohet nevoja për krijimin e një Plani/Programi Kombëtar për Depistimin e Kancerit të Gjirit, dhe gjithashtu krijimi i Regjistrit të kancerit si dhe më pas të Regjistrit Kombëtar të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës, së bashku me kapacitete kërkimore e raportuese në këtë drejtim. Sa i përket strukturës fizike e njerëzore,  vlerësohet e nevojshme shtimi i pajisjeve, mirëmbajtjes dhe teknikëve të kualifikuar. Propozohet gjithashtu vazhdimi i trajnimit të mjekëve të familjes dhe rritja e incentivave për kontrolle klinike të efektshme, si dhe konsiderimi i mjekëve të ndërmarrjeve si një potencial i pafshfrytëzuar në këtë drejtim.IMG_2358

 

Ligjvënësve e drejtuesve qëndrorë u kërkohet rritja hap-pas-hapi e fondeve për shëndetin e gruas, si dhe në terma afatgjatë, dhe hartimi i ligjit të veçantë për kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës si i vetmi mekanizëm i cili siguron zbatueshmërinë dhe fondet për çdo hallkë të parandalimit, diagnostikimit dhe kurimit të kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës, të cilat gjykohet se duhen trajtuar paralelisht. Koalicioni gjithashtu inkurajon gjetjen e zgjidhjeve për ofrimin e shërbimeve pa kosto dhe në formë mobile, për grupet në nevojë dhe ato në zona të thella. Sugjerimet për rritjen e vëmendjes dhe kontributit në këtë drejtim u drejtohen dhe vetë organizatave të shoqërisë civile, medias, biznesit dhe donatorëve të huaj.

 

Duke ndjekur rekomandimet e Koalicionit, ekspertet dhe aktorët kryesorë shprehën opinionin dhe këshillat e tyre mbi këtë cështje në Shqipëri. Znj. Milva Ekonomi, Zv. Ministre e Shëndetësisë, theksoj rëndësinë e diagnostifikimit të hershëm, sidomos për ato gra të grupmoshës rreth të 50-ve, për të cilat kryerja e mamografisë eshte pa pagesë. Në vazhdim, Znj. Albana Vokshi në fjalimin e saj shprehu rëndësinë e statistikave për të parandaluar dhe për të ulur rastet e Kancerit të Gjirit në Shqipëri. Nën-kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Znj. Klodiana Spahiu shprehu dëshirën e saj për të vazhduar të punoj në këtë fushë në bashkëpunim me Koalicionin duke u mbledhur cdo 6 muaj për të parë se cfarë është realizuar nga rekomandimet dhe cfarë duhet bërë akoma.

 

IMG_2393Komente të tjera të ngritura gjatë konferencës ishin edhe nga Z. Astrit Beci- Drejtor, Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetsor, i cili u shpreh : “ Sipas rekomandimeve të mesipërme, edhe unë i si ekspert në këtë fushë , rëndësi i kushtoj rolit të mjekut të familjes, i cili ështe celësi kyc i suksesit. Duhet të ketë me shumë trajnime për këta mjekë për tu specializuar në këtë fushe.” Mjeku Alban Ylli  u shpreh se Kanceri i Gjirit nuk është vetëm një cështje që prek vetëm gratë, por edhe burrat. Për më tepër, Znj. Alma Tedeschini-Afezolli- Mjeke, theksoj pabarazinë midis qyteteve ku nuk ka akses të barabartë të pajisjeve dhe të ekspertëve, sidomos në zonat rurale.

 

Pas rrahjes së ideve dhe marrjes së kontributeve, Koalicioni do të dalë më një studim final, i cili do të pasohet nga aktivitete të tjera avokimi për kancerin e gjirit.

 

Koalicioni, një grup vullentar organizatash, është i përbërë nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim përfaqësuar nga Mirela Arqimandriti, Rrjeti i Grave për Demokraci përfaqësuar nga Blerta Balilaj, Shoqata e Grave të Reja Kristiane Shqiptare e përfaqësuar nga Donika Godaj, dhe Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje përfaqësuar nga Edlira Cepani.

 

Instituti Demokratik Amerikan (NDI), përmes financimit të Fondit Amerikan për Demokraci (NED), ka mbështetur këtë avokim me asistencë teknike, për vlerësimin dhe përmirësimin e situatës në këtë fushë.