+355 67 67 677 pgj@plat.org

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.592, datë 10.09.2014 “Për Krijimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse”, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETS) fton institucionet financiare jobankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit, të aplikojnë për zhvillimin dhe implementimin e “Fondit të subvencionit të interesave të kredive për gratë sipërmarrëse”.

 

Ky program synon krijimin e kushteve lehtësuese dhe mbështetje financiare të drejtpërdrejtë për gratë sipërmarrëse, duke nxitur investimet e reja për një rritje ekonomike dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit nëpërmjet mbështetjes së sipërmarrjes femërore.

 

Përfituesit përfundimtarë të projektit janë të gjitha ndërmarrjet të klasifikuara si biznese mikro, të vogla dhe të mesme, të drejtuara nga gratë (si pronare apo administratore) dhe që do të aplikojnë për një linjë kredie pranë Institucioneve financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit, që operojnë në vend.

 

Qëllimi i përgjithshëm i fondit është të kontribuojë në rritjen ekonomike të sipërmarrjeve femërore duke nxitur investimet e reja nëpërmjet rritjes se financimeve nga institucionet financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Nëpërmjet këtij fondi, institucionet financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit synojnë të gjenerojnë një financim prej 240 Milionë Lekë, duke parashikuar që në një periudhe 4-vjeçare të përfitojnë më shumë se500 biznese, duke mundësuar rritje ekonomike të qëndrueshme dhe vende të reja pune. Ky fond do të sjellë siguri ekonomike, progres dhe inovacion në ndihmë të grave sipërmarrëse.

 

Për një implementim të suksesshëm dhe efektiv të kësaj skeme, MZHETS kërkon të hyjë në partneritet me institucionet financiare jobankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit, që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, që drejtohen nga gratë sipërmarrëse (në cilësinë e pronares apo administratores), duke subvencionuar produktet e tyre kreditore.

Ky program konsiston në pagesën e 50% të shpenzimeve të normës së interesit të kredive të biznesit për gratë sipërmarrëse, për një periudhë  4-vjeçare. Pagesa do të mbulohet nga MZHETS (AIDA) për kreditë që do të përdoren për investime në aktivitetin e biznesit.

 

Funksionimi i skemës do të mbështetet në ndërtimin e një partneriteti midis MZHETS/AIDA-s dhe Institucioneve financiare jo bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit, që do të përzgjidhen si partnere të këtij fondi. Parimet kryesore të kësaj marrëveshje do të jenë thjeshtësia, prakticiteti dhe mirëfunksionimi.

 

Source: http://www.ekonomia.gov.al/al/dokumente/open-government/mbeshtetje-per-grate-sipermarrese&page=1