+355 67 67 677 pgj@plat.org

Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje – një nga rrjetet më të mëdha të grave në Shqipëri – ka monituar gjatë kësaj periudhe zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe specifikisht të Nenit 164.2[i] të tij përsa i përket zëvendësimit të ministrave njëkohësisht edhe deputetë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen nga funskioni i deputetit. Ne përgëzojmë partitë politike të cilat e kanë zbatuar deri tani këtë dispozitë ligjore dhe kanë zëvendësuar sipas ligjit, mandatet e fituara sipas pikës 6 të nenit 67, me kandidatet e para në listë të gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes së tyre në listën e kandidatëve.

 

Duke qënë se ky proces vijon ende, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, e vijon monitorimin e zbatimit të ligjit në çdo hap dhe i kërkon partive politike, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe gjithë njësive të tjera që kanë për detyrë të zbatojnë kodin zgjedhor që të zbatojnë përpikmërisht dispozitat e këtij Kodi dhe mbi të gjitha të zbatojnë frymën dhe arsyen mbi të cilat janë përpiluar dhe vendosur dispozitat në lidhje me garantimin e përfaqësimit gjinor.

 

Në mënyrë të veçantë, parashikimet e Nenit 164.2 të Kodit Zgjedhor janë arritur në sajë të përpjekjeve të përbashkëta të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe partive politike të angazhuara për të krijuar hapësirat e nevojshme për përfshirjen e domosdoshme të grave në politikë. Për këtë arsye, Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje i kërkon partive politike, institucioneve qeveritare dhe gjithë strukturave të tjera të respektojne parashikimet ekzistuese ligjore për pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje dhe të mos i anashkalojnë ato me asnjë artific të ligjshëm apo të pa ligjshëm. U bëjmë thirrje të  gjithë aktorëve të përfshirë në zbatimin e kuadrit ligjor, përfshirë qytetarët, grupet e interesit, organizatat jo-fitimprurëse, përfaqësues diplomatikë, vëzhgues ndërkombëtarë, media dhe në veçanti Aleancës së Grave Deputete, të vijojnë monitorimin dhe të qëndrojnë vigjilentë për të siguruar që dispozita të tilla të rëndësishme për garantimin e pjesëmarrjes së grave në Parlament, të zbatohen edhe në rastet e mandateve vakante të deputetëve që do të krijohen në vijim gjatë legjislaturës aktuale.

 

Ne besojmë qe zbutja e hapësirave ekzistuese gjinore në strukturat vendimmarrëse dhe politike është e vetmja mënyrë për të siguruar një demokraci funksionale dhe zhvillim të plotë të vëndit.

 

Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje është i dedikuar për arritjen e barazisë gjinore në vendimmarje dhe forcimin e rolit të gruas në shoqërine shqiptare. Anëtaret e kësaj organizate përfshijnë përfaqësues nga të gjitha partitë politike, nga spektri i majtë dhe i djathtë, shoqëria civile dhe media.

 



[i]Neni 164.2 i Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë: Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.

 

Neni 67.6. Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas pikës 2 të nenit 164 të këtij Kodi.