+355 67 67 677 pgj@plat.org

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të përzemërt, Kuvendi i Shqipërisë çeli sot dyert për “Krijueset gra të Arteve të Bukura”, ku të pranishme ishin pedagoge të arteve të bukura, mësuese të Liceut Artistik, gra dhe vajza të reja piktore. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti përzemërsisht gratë artiste duke theksuar se në botën shqiptare gruaja artiste ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në atmosferën artistike si artiste me krijimtarinë e saj, por dhe si subjekt apo temë e artit për të gjithë krijuesit e fushave të tij.

Me këtë rast, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u hap një ekspozitë me piktura të artistëve më të mëdhenj shqiptarë si portreti i Nënës shkodrane nga piktori Simon Rrota, portreti i gruas së Lunxhërisë nga piktori Nexhmedin Zajmi,  portreti i Rozafës nga piktori Sali Shijaku, piktura nga e para piktore femër në Shqipëri, Cezarina Darragjati si dhe piktura të grave artiste të pranishme në këtë aktivitet.

Në vlerësimin e saj për këto portrete, Kryetarja e Kuvendit tha se tek të gjitha pikturat dallohet bota e brendshme femërore, që shfaqet besnike, e aftë, delikate, individuale, psikologjike dhe ekspresive.