+355 67 67 677 pgj@plat.org

Përfaqësuesja e Posaçme e Kryetarit të Radhës së OSBE-së për Çështjet Gjinore, June Zeitlin dhe Këshilltarja e Lartë e ODIHR-it për çështjet e komuniteteve rome dhe sinti, Mirjam Karoly, zhvilluan një vizitë tri-ditore në Shqipëri..

Pjesëmarrja e grave në politikë, dhuna ndaj grave dhe çështjet që prekin gratë rome dhe sinti qenë temat kryesore të bisedave gjatë vizitës së June Zeitlin në kuadër të Kryesisë zvicerane të OSBE-së, e cila u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Gjatë vizitës, Zeitlin dhe Karoly patën takime të veçanta me zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, Niko Peleshi, zëvendësministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, zëvendësministren e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, si dhe me deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile, veprimtare rome dhe Platformën Kombëtare për Gratë.

Si rezultat i vizitës në Shqipëri, OSBE-ja do të botojë një raport, që do të përmbajë edhe rekomandime specifike për zbatimin e angazhimeve në fushën e çështjeve gjinore.

“Më lanë përshtypje pozitive angazhimet në fushën e politikave për barazinë gjinore dhe përfaqësimi i fortë i grave në Këshillin e Ministrave dhe në parlamentin e Shqipërisë”, tha Zeitlin.

Vizita e Përbashkët e Këshilltares së Lartë të ODIHR-it për çështjet rome dhe sinti është veçanërisht e rëndësishme në kuadër të vendimit të ministerialit të OSBE-së, miratuar dhjetorin e kaluar në Kiev, për të shtuar përpjekjet e OSBE-së për zbatimin e Planit të Veprimit për përmirësimin e situatës së komuniteteve rome dhe sinti, me fokus të veçantë te gratë, të rinjtë dhe fëmijët romë dhe sinti.

“Mbetet ende një rrugë e gjatë për të bërë për integrimin vendor dhe krijimin e mundësive të barabarta për romët dhe egjiptianët, veçanërisht për gratë e këtyre komuniteteve”, tha Karoly. “Ato përballen me forma të shumta diskriminimi për shkak të gjinisë, etnisë e varfërisë dhe shpesh nuk dinë ku të kërkojnë mbështetje”.

Zeitlin dhe Karoly thanë se shpresonin që një rezultat i vizitës së tyre do të ishte krijimi i sinergjive më të mëdha mes grave rome e egjiptiane dhe rrjeteve të tjera që punojnë për barazinë gjinore. Ato thanë se panë një vrull pozitiv te qeveria e re dhe presin të dëgjojnë për përmbushjen e këtyre angazhimeve në të ardhmen.

OSBE-ja po feston këtë vit 10-vjetorin e Planit të Veprimit për Promovimin e Barazisë Gjinore. Bazuar në të, Kryesia zvicerane po përpiqet të fuqizojë bashkërendimin dhe fokusin e punës te çështjet gjinore në organizatë, për të përforcuar institucionalizimin e tyre. Në planin e përbashkët të punës në kryesitë e radhës për vitet 2014 dhe 2015, Zvicra dhe Serbia shprehën angazhimin e tyre për të punuar për të rritur përfshirjen e aspektit gjinor në të gjitha fushat dhe për zbatimin e të gjitha angazhimeve që kanë lidhje me çështjet gjinore.